Presidenti rus, Vladimir Putin mbajti një fjalim 10 minuta të gjatë, para trupave ruse dhe udhëheqësve nga rreth 20 vende të mbledhura sot në Sheshin e Kuq të Moskës për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste, një përvjetor që festohet për të katërtin vit radhazi në hijen e konfliktit në Ukrainë.
“Në Rusi, Dita e Fitores është festa më e rëndësishme”, tha Putin, duke theksuar se vendi i tij i kujton mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk do të pranojë kurrë shtrembërimin e ngjarjeve të saj.
Putin i kërkoi turmës së mbledhur të mbante një minutë heshtje në kujtim të të vdekurve të “Luftës së Madhe Patriotike”.
“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe populli mbështesin ushtarët që po marrin pjesë. Jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Për këtë forcë shpirtërore që na ka sjellë gjithmonë vetëm fitore”, tha Putin.
Pas fjalimit të Putinit nën muret e Kremlinit filloi një paradë e madhe ushtarake, në të cilën morën pjesë presidentët e Kinës Xi Jinping dhe Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, si dhe udhëheqësit e aleatëve të Rusisë, si Kazakistani, Bjellorusia, Vietnami, Armenia, Kuba dhe Venezuela.