Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka falënderuar qytetarët që janë drejtuar deri tani në kutitë e votimit, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për çdo shqiptar. Ai i bëri apel qytetarëve të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke e cilësuar këtë si një detyrim ndaj vetes, familjes, shoqërisë dhe vendit.
“Falënderoj ata qytetarë që deri tani kanë hedhur votën e tyre, duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare,” tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti.
Ai ndau mirënjohjen e tij për emigrantët shqiptarë që, sipas tij, kanë ardhur nga të gjitha drejtimet – ajri, toka dhe deti – për të votuar në Shqipëri. Berisha theksoi se këta shqiptarë që u ballafaquan me vështirësitë e burokracisë dhe frikën e qeverisë për votën e tyre, meritojnë një falënderim të veçantë.
“Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre. Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment që ka nevojë shumë të madhe,” shtoi Berisha.
Në përfundim, ai bëri thirrje për një angazhim të gjithanshëm nga qytetarët: “Voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën.”
Berisha theksoi se ky është një votim i rëndësishëm për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari dhe për të ardhmen e Shqipërisë.