Ilirjan Celibashi: Ka përfunduar procesi i votimit dhe në Vlorë nuk ka përfunduar procesi i votimit. Jemi duke mbikëqyrur procesin për dorëzimin e materialeve zgjedhore në KZAZ. Përsa i përket përqindjes në pjesëmarrje është 41.37% deri në orën 18:00. Kjo është mes orës 18 dhe 19. Punë minutash do të ketë një update që nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh.
Në vlerësimin tonë, procesi ka shkuar në pjesën e tij dërrmuese, me ndonjë përjashtim sporadik, në përputhje me të gjitha rregullat dhe standardet. Problematikat e konstatuara në mëngjes janë adresuar. Sqaroj që procesi i identifikimit elektronik ka shkuar shumë mirë përjashto 4 rastet ku operatorët nuk u paraqitën dhe 4 rastet ku u kalua në identifikimin përmes listës së zgjedhëseve.
Kemi pasur shkëmbime të informacionit me prokurorinë për pesë raste, që i kemi marrë ne si KQZ dhe këto informacione në vlerësimin tonë të lidhura me akte që mund të vlerësohen si shkelje të karakterit penal ua kemi përcjellë këtyre prokurorive për shqyrtime të mëtejshme.
Tani kalojmë në një tjetër fazë, numërimi dhe duhet të kemi në vëmendje qetësinë që duhet t’u krijojmë numëruesve, anëtarëve të komisionit. E këshillueshme është që deklarimet për rezultatet që vijnë vetëm pas vlerësimit të fletëve të votimit nga përfaqësuesit politikë janë pa asnjë lloj vlere dhe kontribute jo pozitive në mbarëvajtjen e procesit. Qytetarët shqiptarë votuan, duhet të kemi durim për numërimin e këtyre votave.
Nëse të gjithë do të bëjnë atë që ligjin ka përcaktuar ne do të kemi rezultatin paraprak të zgjedhjeve brenda afatit të përcaktuar, jo më vonë se pasditja e ditës së martë.