Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për shtyp nga ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës ka treguar në lidhje me numërimin e ngadaltë të fletëve të votimit nga jashtë vendit.
Celibashi ka thënë se procesi po vonohet për shkak të ngarkesës së lartë administrative dhe lodhjes së komisionerëve.
“Procesi po merr shumë kohë për të numëruar dhe vlerësuar fletët e votimit nga jashtë, për shkak të ngarkesës së madhe në përpunimin e dokumentacionit përkatës. Dje humbëm mjaft kohë për shkak të debateve për fletët e votimit nga jashtë,” – u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se ngadalësimi i ritmit lidhet edhe me faktin se ky është një proces i ri për pjesën më të madhe të komisionerëve.
“Ritmet janë të ulëta jo për mungesë dëshire, por për shkak të performancës. Janë të lodhur, disa janë që prej 48 orësh non stop në këto ambiente,” tha Celibashi.