Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj u shpreh nga Fieri se partitë e vogla i penalizoi fakti që nuk u bashkuan. Lapaj tha se nëse do ishin bashkë, me këtë rezultat do fitonin 13 mandate.
“Mosbashkimi [na penalizoi], unë luftova shumë t’i bashkoja. Arritëm me Nismën Thurje u bashkuam. Mosbashkimi, egot e vogla, kanë bërë që sot 13 mandate deputetësh të mos jenë për të renë dhe nëse ato 13 mandate do ishin për të renë sot gara do ishte tjetër gjë komplet dhe do luftohej votë për votë për të bërë rotacionin politik në vend”, tha ai.
Gjithashtu Lapaj u shpreh se Nisma Shqipëria Bëhet do të marrë 9 mijë vota në Fier si dhe mendon që do të fitojë një mandat.
“Me projeksionin që ka aktualisht vota, besoj kaloj te ne. Pastaj çdo gjë ndodh, por të shohim kutitë. Ne po kujdesemi që çdo votë e hedhur nga qytetarët të numërohet. Me këtë projeksion që jemi tani besoj se mandati i parë për lëvizjen tonë do të jetë në qarkun e Fierit. Projeksioni i votës këtu në sallë, në Fier kalojmë mbi 7 mijë vota. Ndërkohë me projeksionin e votës së diasporës kalojmë mbi 2 mijë kështu që Lëvizja Shqipëria Bëhet si koalicion merr mbi 9 mijë vota në qarkun e Fierit dhe besoj që mandati do t’i përkasë koalicionit tonë”, u shpreh ai.