Adriatik Lapaj ka vijuar qëndresën e tij përpara Kryeministrisë për të katërtën ditë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Ai theksoi se protesta është një lëvizje qytetare dhe se dita-ditës po bashkohen gjithnjë e më shumë qytetarë të shqetësuar për situatën në vend. Lapaj ka shprehur bindjen se vetëm përmes qëndresës dhe presionit të vazhdueshëm mund të arrihet ndryshimi që kërkohet.
“Nuk janë mbështetësit e mi, janë qytetarë të lirë që janë këtu për veten e tyre, sepse besojnë se në këtë vend gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Ne nuk jemi të lidhur me asnjë parti politike; kjo është një lëvizje qytetare. Në këtë protestë, nuk ka ndarje partiake dhe nuk ka logo të partive. Ne jemi të gjithë bashkë për një qëllim: rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të mundësojë një periudhë të re zhvillimi për Shqipërinë. Kjo që po ndodh në Shqipëri është një situatë e jashtëzakonshme, ku ministrat e qeverisë përballen me akuza të rënda, por Rama dhe ekipi i tij i ngushtë po vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Vetëm duke qëndruar këtu, duke mos u dorëzuar, mund të arrijmë ndryshimin që duam. Rama duhet të japë dorëheqjen, dhe kjo nuk është një kërkesë vetëm për një grup njerëzish, por për të gjithë shqiptarët,” shprehet Adriatik Lapaj









