Të dhënat më të fundit të Eurostat zbulojnë një realitet të fortë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: emigrimi drejt Bashkimit Europian mbetet një dukuri masive. Në fillim të vitit 2023, në vendet e BE-së jetonin rreth 27.4 milionë persona që nuk kishin shtetësi të ndonjë shteti anëtar, duke përfaqësuar 6.1% të popullsisë së përgjithshme të Unionit.
Ndër komunitetet më të mëdha jo-BE, shqiptarët renditen në vendin e nëntë, me 2.3% të të gjithë të huajve që jetojnë në BE, duke u pozicionuar pas qytetarëve nga India (3.2%) dhe Mbretëria e Bashkuar (2.6%). Grupet më të mëdha janë ukrainasit (11.9%), turqit (7.7%) dhe marokenët (7.1%).
Megjithatë, Shqipëria bie në sy për një tjetër tregues: numrin e lartë të emigrantëve në raport me popullsinë e saj. Aktualisht, në vendet e BE-së jetojnë rreth 630 mijë shqiptarë – shifër që nuk përfshin të dhënat nga Greqia. Kur këtyre u shtohen edhe rreth 400 mijë shqiptarë që jetojnë në Greqi, numri i përgjithshëm i bashkëkombasve jashtë vendit i kalon 1 milion, duke përfaqësuar mbi 40% të popullsisë.
Vetëm në vitin 2023, rreth 75 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet anëtare të BE-së. Në periudhën 2022–2023, kjo shifër shkon në afro 154 mijë leje të dhëna për herë të parë, ndërsa që nga viti 2008 janë lëshuar rreth 920 mijë leje për shtetas shqiptarë.
Ky eksod ka pasur ndikim të ndjeshëm në strukturën demografike të vendit. Sipas Censit të fundit të INSTAT, popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 420 mijë banorë krahasuar me vitin 2011, duke zbritur në vetëm 2.4 milionë.
Në një situatë të ngjashme ndodhen edhe vendet e tjera të rajonit. Kosova renditet e dyta për emigracion në raport me popullsinë, me 25.7%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut (19.6%) dhe Bosnjë e Hercegovina (17.3%).
Të dhënat e fundit theksojnë nevojën për politika afatgjata që adresojnë shkaqet e emigrimit masiv dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme për të rinjtë dhe profesionistët shqiptarë në vend.