Mjeku i njohur pediatër Bashkim Nezaj është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme. Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm gjatë turnit të natës. Sipas njoftimit të QSUT, mjeku pediatër ka humbur jetën si pasojë e një infarkti.
Reagimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Bashkim Nezaj. Një profesionist i përkushtuar, një njeri i qetë dhe i dashur, një mjek që ia kushtoi jetën dhe zemrën shërbimit ndaj fëmijëve. Për më shumë se 20 vite, Dr. Bashkimi ka qenë pranë çdo vogëlushi që ka kaluar pragun e Pediatrisë, duke u bërë shembull i humanizmit dhe profesionalizmit të rrallë.
Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, kolegët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin e të punonin me të.
Prehu në paqe, doktor Bashkimi. Kontributi yt nuk do të harrohet kurrë”.