Procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora vijon me intensitet, ndërsa Partia Socialiste ka fituar terren me mbi 47 mijë vota epërsi ndaj Partisë Demokratike, falë kontributit të votuesve shqiptarë jashtë vendit.
Veçanërisht vendimtare po rezultojnë votat e ardhura nga Greqia, të cilat po ndikojnë në rezultatin e qarkut Lezhë. Aktualisht, PD mban 4 mandate, ndërsa PS ka siguruar 3, por diferenca mes tyre është ngushtuar ndjeshëm, çka ka nxitur PD-në të kërkojë rinumërim dhe të kontestojë procesin.
Në vend të tretë ndodhet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, ndërsa subjektet e tjera politike kanë marrë përqindje minimale.
Deri më tani janë numëruar 162,788 zarfe nga gjithsej 195,007 që priten nga votuesit jashtë vendit. Numërimi i zarfeve të Greqisë nisi mëngjesin e së shtunës, pas një vendimi të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që zhbllokoi situatën e krijuar prej pretendimeve të PD për manipulim.
Megjithëse PD ka vendosur komisionerë në sallat e numërimit, partia ka deklaruar se do të kundërshtojë përfshirjen e këtyre votave në rezultatin përfundimtar, duke i konsideruar ato të parregullta.