49 Kandidatë pa asnjë votë, as të veten! Ja ta zëmë se bashkëshortja e tradhton; prindërit ndoshta në pleqëri e nuk dinë ta mbushin fletën dhe ajo iu del e pavlefshme; fëmijët nuk e kanë mbushur ende moshën e votimit ose nuk kanë dalë fare për të votuar se kanë qenë tepër të zënë duke lozur me playstation, vëllai ku i dihet nuk ta harron një konflikt prone që nga 1994-ta; shoqëria ta ka me të futur prej kohësh; komshia bën vaki e s’të fal që dëgjon Sinan Hoxhën me volumin në maksimum pas mesnate — po votën personale, ku e kanë këta të shkretët?
Mbase thjesht vota ka qenë aq e vetmuar, sa është shpallur e pavlefshme për mungesë dëshmitarësh! Apo e ka marrë edhe atë ndonjë numërues me vete për t’ia dhënë partisë mëmë, si shenjë mirënjohjeje për sanduiçin e drekës? Bën vaki edhe ta ketë marrë era nga tavolina e numëruesve, (bashkë me ndonjë listë pagese) dhe i është ngjitur grumbullit të gabuar, ashtu si shpresa e kandidatëve për një të ardhme ndryshe dhe proces të ndershëm zgjedhor.