Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh zgjedhjet e 11 majit kanë qenë një farsë elektorale e paralajmëruar edhe nga rezoluta ndërkombëtare. Berisha tha se fushata ka qenë më profesionalja dhe më e përkushtuara e jetës së tij.
“Kjo ishte një farsë elektorale e paralajmëruar, pasi në katër rezoluta ndërkombëtare në 6 muajt e fundit, Shqipëria u identifikuar si vendi që zhvillon farsë elektorale. Këto zgjedhje u zhvilluan në kushte të një terrori të paparë ndaj liderëve opozitarë. Shteti ligjor nuk mbahet më për shkak të kapjes së drejtësisë dhe mosndëshkimit.
Në fushatë elektorale kurrë mos të presë kush që unë të lëshoj gjysmë fjale që dekurajoj mbështetësit e mi. Unë kam punuar në këtë fushatë në mënyrën më profesionale dhe më të përkushtuar të jetës time. Kurrë nuk kam bërë një fushatë si kjo. Kam paraqitur në këtë fushatë programin absolut të jetës time. Kam marrë në këtë fushatë krye ekspertin e botës, Chris LaCivita, kam bërë gjithçka që duhej të bëja për të qenë totalisht i përkushtuar me vetëdijen e plotë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Krahas tyre që kam bërë, është edhe rezoluta e 30 prillit, që i dënon zgjedhjet në mënyrë përfundimtare.”, tha Berisha.








