Kosova ndodhet në një moment dramatik politik dhe institucional. Pas mbi tre muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve, Kuvendi vazhdon të jetë peng i kalkulimeve personale, inateve politike dhe ambicieve të pashuara për pushtet. Dështimi i seancës së 18-të është vazhdim i një krize që nuk është më vetëm politike por është krizë e vlerave dhe përgjegjësisë.
Deputetët nuk janë zgjedhur për të bërë spektakël, për të bllokuar institucione apo për të ushqyer krizën. Ata nuk kanë imunitet për të dështuar. Asnjë kushtetutë, asnjë statut, asnjë flamur nuk u jep atyre të drejtën për të luajtur me ndërgjegjen e qytetarëve. Ata nuk janë votuar për të mashtruar, për të fituar paga dhe privilegje, ndërkohë që shteti ngelet pa institucione funksionale.
Nëse pushteti do të zhvishej nga hipokrizia, atëherë kombit do t’i kthehej dinjiteti. Por përderisa hipokrizia vishet me pushtet dhe propaganda zëvendëson përgjegjësinë, qytetari vazhdon të përbuzet, të përdhunohet nga arroganca politike, e të shkelet me të njëjtën votë që dikur e dha me shpresë për më mirë.
Në këtë kontekst, problemi nuk është në mungesë të zgjidhjes ligjore apo kushtetuese, sepse zgjidhje ka. Kjo është një krizë politike, por se prap, jo për shkak të mungesës së opsioneve për zgjidhje nga të gjitha taborret. Kështu që kjo është papërgjegjësi institucionale dhe mosrespekt ndaj shtetit dhe qytetarëve. Mbi të gjitha, kjo është një krizë morale.
Ajo që po shohim është papërgjegjësi ndaj votë-besimit qytetar, papërgjegjësi ndaj shtetit dhe mungesë e vetëdijes shtetërore nga shumica e atyre që sot mbajnë poste parlamentare dhe politike. Deputetët dhe politikanët, nuk janë pronarë të institucioneve – ata janë shërbyes të popullit. Dhe kur ata nuk e përfaqësojnë më popullin, populli ka të drejtë dhe duhet t’i zhveshë nga kompetencat.
Presidentja e Republikës, nga pozita e saj kushtetuese, nuk arriti të realizojë ndërhyrjen për harmonizimin politik të partive parlamentare. Në situatën ku Kuvendi nuk është konstituuar ende, Presidentja nuk ka as mundësi kushtetuese për ta shpërndarë atë dhe për të çuar vendin në zgjedhje. Pra, ndërhyrja e saj mund të jetë vetëm e karakterit moral.
Por, për fat të keq, edhe ky moral politik i saj duket se është cenuar dhe i hendikepuar. Mediat kanë raportuar për një takim të Presidentes me të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane, ku ka kalkuluar për interesin personal – për një mandat të dytë presidencial, në këmbim të shtyrjes së një koalicioni të ri ndërmjet LVV dhe LDK. Kjo nuk është ndërmjetësim – kjo është tregti politike me krizën në kurriz të qytetarëve dhe të shtetit. Të njëjtin konotacion politik ka edhe propozimi për qeveri tranzitore deri në zgjedhjen e presidentes, që s’është gjë tjeter veçse statusquo e krizës, ndesh edhe me logjikën ligjore, kushtetuese dhe misionin e zgjedhjeve.
Në këtë situatë, nuk mbesin shumë alternativa. Një ndërhyrje nga aleatët strategjikë, si SHBA, mund të jetë e pashmangshme. Por nëse ndodh ajo që ka ndodhur shpesh – pra refuzimi i propozimeve amerikane nga LVV siç rendom ka bërë – atëherë mund të rrezikohet një suprimim i institucioneve të Kosovës nga Prania Ndërkombëtare, e cila mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së. Kjo do të ishte një kthim mbrapa, me mundësinë e krijimit të një Këshilli Administrimi të Përkohshëm ose një Qeverie Provizore, gjë që do të ishte degradim institucional.
Një alternativë më e pranueshme do të ishte formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse me mandat programor dhe afat të qartë, si një rrugëdalje nga kriza. Ky program afatizues, do të përfshinte: përmbylljen e dialogut, me njohjen; ratifikimin ndërkombëtarë të kufirit të Kosovës me Serbinë; reformën në drejtësi; sistemin zgjedhor dhe ligjin për lustrimin e institucioneve dhe politikës nga të hendikepuarit/argatët e pjella e ish regjimit komunist serb.
Por nëse edhe kjo dështon, atëherë populli duhet ta marrë situatën në dorë, dhe siç janë dëgjuar zëra – qytetarët ta rrethojë Kuvendin dhe t’i detyrojë deputetët të qëndrojnë aty derisa të dalin me një zgjidhje. Në të kundërt, siç ka ndodhur në shumë raste në botë, ata që abuzojnë me besimin publik kapen nga krahët e këmbët dhe hidhen në koshat e plehrave përreth Kuvendit – jo si akt dhune, por si shenjë refuzimi total ndaj një klase politike që e ka humbur çdo kredibilitet moral dhe përfaqësues.
Askush nuk ka të drejtë të abuzojë me votën dhe taksat e qytetarëve. Dhe kur ndodh kjo, populli jo vetëm që ka të drejtën, por edhe detyrën që ta marrë demokracinë në dorë.