Vetëm pak ditë pas pjesëmarrjes në samitin e Tiranës dhe takimeve me liderët europianë e kryeministrin Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë një deklaratë të bujshme në skenën politike të brendshme, duke i dhënë një mesazh simbolik dhe të ngarkuar trajnerit të kombëtares serbe të futbollit, Dragan Stojkoviç.
Gjatë një tubimi të Partisë Progresive Serbe (SNS), Vuçiç falënderoi publikisht Stojkoviçin për mbështetjen e tij politike, por më shumë se kaq, lëshoi një deklaratë të drejtpërdrejtë që ngjante më shumë me një urdhër sportiv me sfond politik:
“E pashë pak më parë dhe tani e shoh që është këtu, ju lutem duartrokitni fort trajnerin serb Dragan Stojkoviç, një legjendë e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne këtu. Në qershor luani atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata!”
Gjatë momentit, kamerat fokusuan trajnerin Stojkoviç, i cili buzëqeshi ndërsa përtypte një çamçakëz, duke zgjedhur të mos reagojë verbalisht ndaj thirrjes së presidentit.
Kjo deklaratë vjen në prag të përballjes Shqipëri–Serbi më 7 qershor, një ndeshje e konsideruar gjithmonë me ndjeshmëri të lartë, për shkak të marrëdhënieve historikisht të tensionuara mes dy vendeve, jo vetëm në sport.
Ajo që bie në sy është kontrasti i fortë mes gjuhës së matur diplomatike që Vuçiç mbajti në Tiranë dhe tonit të ngarkuar emocionalisht që përdori në tubimin e brendshëm. Sporti, një terren ku ndjenjat kombëtare janë të zjarrta, vijon të shfrytëzohet edhe si mjet komunikimi politik, duke rihapur në mënyrë të tërthortë rivalitetin mes dy vendeve, përtej diplomacisë së buzëqeshjeve.