Një ndër goditjet më të mëdha kundër krimit të organizuar është duke u zhvilluar paralelisht në Shqipëri dhe Itali, ku autoritetet kanë zbatuar operacionin e koduar “Ura”, i cili ka në qendër një rrjet kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
52 urdhër-arreste janë lëshuar në të dy vendet, ndërsa gjatë hetimeve janë zbuluar detaje befasuese që hedhin dritë mbi funksionimin e brendshëm të këtij rrjeti. Përmes përgjimeve, janë identifikuar pseudonime të shumta, që anëtarët e bandës përdornin për të komunikuar mes tyre, duke krijuar një botë kriminale të koduar, pothuajse si në skenaret e filmave mafiozë.
Adi Coba, figura kyçe që çoi në nisjen e hetimeve, përmendej në biseda me disa nofka: “Bazholi”, “Bisha”, “I shëndoshi” dhe “Cigani”.
Emra të tjerë të zbuluar përfshijnë:
Francesca Caputti (shtetase italiane): “Gjyshja”
Serafina Palazzo: “Halla”
Nuredin Kipitiu: “Nuro”, “Pacurri”, “Blaki”, “Dino”, “Cigani”
Rigels Presi: “Gelsi”, “Seriali”, “Miki”
Giovanni Signorile: “Ati i asaj”
Operacioni po drejtohet nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Barit dhe SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit Shqiptar, Zyrën e Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, Interpolin, si dhe me mbështetjen e Eurojust dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë.
Përveç arrestimeve, janë ekzekutuar edhe masa sekuestrimi të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri dhe Itali, me vlera që kapin shifrën e disa milionë eurove.
Hetimi është pjesë e një fushate më të gjerë për të goditur rrjetet shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike, që veprojnë në boshtin Ballkan–Evropë Veriore–Puglia, duke menaxhuar lëvizjen e sasisë së mëdha të kokainës dhe heroinës drejt tregjeve evropiane.