Zbarkimi e kryeministres së Estonisë, Kaia Kallas në Kosovë, përveç shumë benefiteve simbolike, ka edhe peshë e rëndësi të jashtëzakonshme; politike, diplomatike po shlirë mund të themi edhe një peshë gjeostrategjike në këto kohëra drithërimesh e kërcënimeve rajonale, kontinentale e globale. E themi kështu për shkak të profilit dhe “peshës specifike” që ajo ka marrë në diplomacinë evropiane sidomos pas kërcënimit të sigurisë dhe zhvillimeve pas agresionit rus në Ukrainë.
- Pesha dhe rëndësia (gjeo)strategjike;
Kjo zonjë që në qarqet diplomatike, njihet me portretin e figurës shumë të zëshme në BE lidhur me; mbrojtjen e vlerave të demokracisë perëndimore; me qëndrimet tejet të prera ndaj kërcënimeve agresive të Rusisë; pastaj, me mbështetjen e fuqishme që ia adreson viktimizimit të Ukrainës; si edhe me prononcimet jo edhe aq eufemiste ndajë dialogut Serbi -Kosovë, në fakt dëshmon midis tjerash, se e njëjta me vizitën në Kosovë, ka për qëllim; a) Rikthimin dhe forcimin e partneritetit politik të Republikës së Kosovës, që ishte lënduar padrejtësisht me sanksione (!) nga burokratët e mëhershëm të Brukselit, si pjesë integrale dhe shpresëdhënëse për proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Ku natyrisht do shqyrtohen edhe moduset diplomatike edhe për gjetjen e ngërçit që u shkaktua nga “patatja e nxehtë” që u konsistua me Marrëveshjen Franko-Gjermane. Ardhja e saj, pa dyshim është edhe një simbolikë për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, veçanërisht në këtë kohë kur Serbia haptas (me vizitën e Vuçiqit në Moskë) e dëshmoj se e ka problem me qenë sferë e interesit të vlerave euro-atlantike; b) Qartësimin e mesazhit lidhur me nisjen e një fillimi të ri homegjenizues që pritet të ndodh në një të ardhme të afërt me “unitetin” e luhatur evropian që befas u vë në “shtratin e Prokrustit” të Presidentit Amerikan, Donald Trump.
- Pesha dhe rëndësia diplomatike;
Zbarkimi i Kaja Kallas, duhet të këndvështrohet edhe nga “dioptria” e një “Diplomacie të solidaritetit demokratik”, ku sipas planimetrisë së re (shpresojmë!) evropiane, Kosovës po supozoj se duhet t’i jepet një mbështetje altruiste. E për të cilën, na nevojitet një diplomaci shumë më efektive, shumë me praktike e pragmatike, e jo sosh e “turra vrapit” si ishte deri me tani. “Demokracia e solidaritetit demokratik”, pa dyshim mëvehtëson e nënkupton edhe restaurimin e ca “paragrafeve” të sferës së sigurisë dhe stabilitetit rajonal që u lëkundën e edhe u kërcënuan shumë seriozisht me agresionin e Serbisë (rasti; Radojçiq) mbi KFOR-in(thyerjet dhe rrahjet brutale të ushtarëve!?) mbi Kosovën.
- Çfarë mund të presim ne si Republikë, nga kjo vizitë?
Kujtoj që pritjet tona duhet të jenë modeste (shkaku; i defensivave diplomatike dhe ngërçit të shkaktuar nga “shizofrenia politike” e elitave tona), por, edhe me rezerva. Them kështu, shkaku, se na mbanë shpresa për; një mbështetje më të theksuar ndërkombëtare; një nxitje për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare; një shpresë me garancione për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e më pastaj edhe në NATO. Natyrisht, shpeshherë dëshirat me ambiciet janë në shpërputhje, por, nëse e përmbledhim shpresën e Republikës, kujtoj që nga kjo vizitë duhet të na ndodh një ngritje (të paktën simbolike) e profilit të shtetësisë sonë në qarqet ndërkombëtare. E sidomos tani kur na janë rralluar dukshëm vizitat e liderëve perëndimorë… shkaku i pa përgjegjësisë sonë!