Presidenti Bajram Begaj ndodhet për një vizitë në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentarë të NATO-s në Dayton.
Begaj u prit me një ceremoni nga nxënësit e shkollës “Gjuha Jonë” e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”. Presidenti vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare që nga fundi i shekullit XIX në jetën publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pikërisht në këtë shtet, në këtë mjedis multikulturor, shkolla “Bijtë e Shqipes” ndihmon në parandalimin e asimilimit të plotë të brezave të rinj, duke mbajtur gjallë elementet shqiptare në jetën tuaj të përditshme. Unë jam i ndërgjegjshëm se sfidat tuaja për të mbajtur hapur e funksionuar shkolla shqipe janë të shumta. Ato lidhen me sigurimin e fondeve të mjaftueshme e të domosdoshme, me konkurrencën me sistemin shkollor amerikan, me vështirësitë në sigurimin e mësuesve të kualifikuar dhe materialeve mësimore cilësore në gjuhën shqipe, apo dhe me motivimin e prindërve dhe nxënësve për të vijuar mësimin në mënyrë të rregullt”, tha presidenti Begaj.