Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë ka denoncuar një rast të vjedhjes së votave preferenciale për koalicionin PD-ASHM në qarkun e Tiranës. Blushi ka paraqitur dy dokumente ku në njërën janë shënuar në procesverbal votat që kanë marrë kandidatë e listës së hapur të Partisë Demokratike në qendër votimi në Tiranë.
Në dokumentin tjetër shikohet se si në procesverbalin përfundimtar këto vota janë tjetërsuar, duke firuara në zero. Blushi u shpreh se do të vazhdojnë betejën për të mbrojtur votën e lirë dhe për të nxjerrë Shqipërinë nga gremina.
“Sot provojmë me dokumenta zyrtare se si në qendrën e votimit 1531, në KZAZ Nr.30 në Qarkun e Tiranës janë tjetërsuar në mënyrë kriminale 97 vota për kandidatët në listën e hapur të koalicionin “PD-ASHM”, të cilat janë zhdukur qëllimisht në procesverbalin përfundimtar të kësaj KZAZ-je, ose më saktë janë vjedhur në tavolinë nga komisionerët patronazhistë të Edi Ramës.
Siç mund ta shihni, në këtë dokument zyrtar, të firmosur nga katër numërues, në qendrën e votimit 1531 në Yrshek, të KZAZ Nr.30 rezulton se 106 vota janë hedhur në kutinë e votimit për koalicionin PD-ASHM dhe 97 vota për kandidatët e aleancës tonë në listën e hapur, nga të cilat 3 vota për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metaj.
Ndërkohë, në procesverbalin përfundimtar të të gjitha qendrave të votimit të KZAZ Nr.30, qendra e votimit 1531, rezulton me zero vota për kandidatët e koalicionit PD-ASHM.
Kjo vjedhje flagrante e 97 votave në Tiranë është një tjetër provë e qartë e masakrës elektorale që ka ndodhur në 11 Maj.
Kur vetëm në një qendër votimi në kryeqytet vidhen 97 vota ditën për diell, imagjinoni se çfarë ka ndodhur në qendrat e votimit në qytetet e tjera të vendit.
Tanimë është fakt se 11 Maji ka qenë një farsë elektorale e dominuar nga banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore.”, tha Blushi.