Pas një periudhe mbi dy muajsh bllokadë, Kuvendi i Shqipërisë do të rifillojë punimet me një seancë plenare të parashikuar më 29 maj, ora 12:00. Njoftimi është firmosur nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërsa Konferenca e Kryetarëve është mbledhur këtë të hënë për të miratuar kalendarin e punimeve të mbetura të legjislaturës aktuale.
Seanca e 29 majit pritet të shënojë rikthimin e debatit parlamentar për çështje të mbartura, si projektligjet e integrimit europian, procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, si dhe shtyrja e afatit për komisionet parlamentare të posaçme për median dhe antikorrupsionin.
Periudha qershor–korrik pritet të jetë intensive, pasi deri më 8 korrik Kuvendi duhet të përmbyllë detyrat ligjore, përpara se të ndalohet shqyrtimi i nismave të reja 60 ditë para përfundimit të mandatit, sipas kufizimit kushtetues.
Ndërkohë, institucionet kushtetuese dhe të pavarura do të paraqesin raportet vjetore përpara legjislaturës që pritet të mbyllet më 8 shtator. Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do të konstituohet brenda datës 19 shtator.
Zgjedhjet parlamentare të këtij viti nxorën Partinë Socialiste fituese me 83 mandate, duke siguruar një shumicë të qartë. Nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga PD dhe aleatët arriti në total 50 mandate, ndërsa partitë e reja si Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë arritën të sigurojnë përfaqësim në Kuvend.