Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 dhe e mbështet integritetin territorial të Serbisë, duke e parë Kosovën në prizmin e çështjeve të veta të brendshme, si Tajvani dhe Tibeti.
Kina ka penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL. Ajo nuk ka ambasadë në Prishtinë, por vepron përmes Zyrës Ndërlidhëse në kuadër të ambasadës së saj në Beograd.
Megjithatë, tregtia mes dy vendeve po rritet. Në vitin 2023, Kosova importoi nga Kina mallra me vlerë 650 milionë euro, ndërsa eksportoi vetëm 442 mijë euro.
Kryesisht bëhet fjalë për pajisje teknologjike, përfshirë sisteme mbikëqyrjeje të kompanive Dahua dhe Hikvision – të cilat janë nën sanksione në vendet perëndimore për arsye sigurie.
Investimet kineze në Kosovë janë pothuajse të papërfillshme. Kina përmendet rrallë në media dhe shpesh në mënyrë neutrale ose negative, me theks të madh te partneriteti me BE-në dhe SHBA-në.
Sipas një sondazhi të DFC-së, 69 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë se lidhjet e forta me Kinën do të përmirësonin interesat e vendit – duke reflektuar orientimin e thellë pro-perëndimor të shoqërisë kosovare.
Kina dhe Mali i Zi
Kina dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të mira politike, si në nivel dypalësh ashtu edhe përmes iniciativës “Brezi dhe Rruga”. Ndryshe nga Rusia, Pekini nuk përzihet drejtpërdrejt në politikën e brendshme të Malit të Zi dhe madje ka mbështetur anëtarësimin e vendit në BE.
Ndryshe nga BE-ja që përqendrohet në reforma ligjore e institucionale, angazhimi kinez reflektohet përmes bashkëpunimit me institucione konkrete, investimeve në infrastrukturë dhe financa. Kjo përfshin vizita zyrtare, shkëmbime studimore dhe pjesëmarrje të kompanive kineze në tregun malazez.
Kina ende nuk është investitori më i madh në Mal të Zi, por ka rol të rëndësishëm si kreditor dhe kontraktues. Shembulli më i madh është kredia prej afro një miliard dollarësh që Qeveria malazeze mori nga banka Exim për ndërtimin e autostradës Bar–Boljare, projekt i kompanisë kineze CRBC.
Kina është gjithashtu e përfshirë në projekte si rikonstruksioni ekologjik i Termocentralit të Plevlës. Por, shumë prej këtyre projekteve janë jotransparente dhe kanë ndikim negativ në mjedis.
Ndikimi i Pekinit në Mal të Zi nuk është vetëm ekonomik – përmes programeve kulturore dhe arsimore, shkëmbimit të studentëve dhe përmbajtjeve mediatike që promovojnë perspektivën kineze. Kina po ndërton ndikim të butë që ndikon diskursin publik dhe orientimin politik.
Sipas një sondazhi të DFC-së nga maji 2024, 33.8 për qind e qytetarëve besojnë se Kina ka ndikim të madh në Mal të Zi, dhe 63.2 për qind e vlerësojnë atë si pozitiv.
Kina në Bosnje e Hercegovinë
Ndikimi kinez në Bosnje dhe Hercegovinë është më i dukshëm në entitetin Republika Sërpska, përmes tregtisë, arsimit, mediave dhe diplomacisë. Edhe pse bashkëpunimi paraqitet si ekonomik dhe kulturor, analiza vlerëson se ai ka përmbajtje gjithnjë e më shumë politike.
Në vitin 2023, këtë vend e vizitoi i dërguari special i Qeverisë kineze për çështjet evropiane, Vu Hongbo, me fokus te bashkëpunimi, në kuadër të iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe sigurisë evropiane.
Në nëntor të po atij viti, presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, u takua me ambasadorin kinez, Ji Ping për të diskutuar mbi situatën politike dhe Marrëveshjen e Dejtonit, gjë që u interpretua si përfshirje direkte e Kinës në çështjet e brendshme të Bosnjës.
Në vitin 2021, Kina dhe Rusia tentuan përmes Kombeve të Bashkuara të mbyllin Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), por rezoluta nuk kaloi.
Kina në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, ndikimi kinez vjen përmes tregtisë, arsimit, mediave dhe diplomacisë. Edhe pse marrëdhëniet paraqiten si të favorshme për të dyja palët, analiza ngre shqetësime për ndikim të mundshëm negativ që mund të cenojë sovranitetin dhe proceset demokratike.
Kina kritikoi ashpër vizitën e deputetëve maqedonas në Tajvan, ndërkohë që projektet e zhvillimit që ofron shpesh përmbajnë klauzola të fshehta, si mundësia e kërkesës për kthim të menjëhershëm të kredive nëse cenohen interesat kineze.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut i ka borxh Kinës 479 milionë dollarë – që përbën 8.7 për qind të borxhit të jashtëm të vendit. Shkëmbimi tregtar në vitin 2024 ishte rreth 490 milionë dollarë, me deficit të madh në anën maqedonase.
Instituti Konfuçi në Shkup është instrumenti kryesor i ndikimit kulturor dhe arsimor kinez. Numri i kursantëve është rritur nga 60 në vitin 2013 në 562. Gjysma e librave të përkthyer nga kinezishtja janë për fëmijë – tregues i synimit drejt brezave të rinj. Maqedonia e Veriut ka realizuar më shumë projekte shkencore me Kinën sesa me çdo vend tjetër./REL