Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo po stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit”. Trajneri pati në dispozicion të gjithë grupin, përveç sulmuesit Rey Manaj, i cili kaloi një gjendje gripale dhe u stërvit veçmas në palestër.
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të shtunën në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
UEFA ka vlerësuar maksimalisht këtë duel duke ia besuar gjykimin një trupe nga Italia me kryesor arbitrin Davide Massa. Si një ndër më të vlerësuarit në Serie A, Massa do ketë ndihmën e Filippo Melit dhe Ciro Carbones, ndërsa arbitër i katërt do jetë Fabio Maresca. Në VAR do jenë Aleandro Di Paolo me ndihmës Daniele Doveri.