Pas trazirave në Beograd gjatë eliminatoreve të Euro 2016, UEFA ka lejuar që Shqipëria dhe Serbia të përballen sërish në eliminatoret e Botërorit 2026. Megjithatë, këto ndeshje konsiderohen me rrezikshmëri shumë të lartë, ndaj UEFA ka caktuar ekspertin e sigurisë Zhak Antenen për të monitoruar ngjarjet.
Antenen, ish-shef policie në kantonin Vaud të Zvicrës – ku ndodhen edhe zyrat e UEFA-s – është i njohur për eksperiencën e tij të gjatë në fushën e sigurisë dhe rolin si delegat ndeshjesh të rëndësishme. Ai ka qenë edhe delegat i finales së Ligës së Kampioneve në 2023, ndeshje që përbënte sfidë sigurie për shkak të lëvizjeve masive të tifozëve.
Për shkak të historikut të tensioneve mes dy vendeve, roli i Antenenit është kyç për garantimin e sigurisë gjatë këtij takimi të pritur me shumë tension.