Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për shtyp ka delaruar se kriza e strehimit në vend është përkeqësuar.
Haxhiu u shpreh se strehimi është kthyer në luks për shumicën e qytetarëve, pasi çmimet e banesave dhe qirave kanë arritur nivele të papërballueshme. Ajo tha se çmimet janë më të larta se në Milano si dhe akuzoi qeverinë për thellimin e kësaj krize.
Deklarata e plotë:
Kriza e strehimit në vend është një nga faktorët kryesorë që po nxit largimin masiv të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe familjeve të reja. Sot, strehimi është bërë një luks për shumicën e shqiptarëve.
Çmimet e banesave dhe qirave janë rritur në mënyrë të vrullshme, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të shtrenjtë dhe të papërballueshëm për shumë qytetarë.
Apartamentet në Tiranë janë më të shtrenjta se në Milano, ndërkohë që pagat janë ndër më të ulëtat në Evropë.
Të rinjtë që sapo nisin jetën familjare e kanë të pamundur të blejnë apo të marrin me qira një shtëpi në zonat urbane.
Edhe kur ia dalin të marrin një kredi, kostot janë të jashtëzakonshme. Ata mbeten peng i mikrokredive dhe borxheve.
Mungesa e strehimit po ndikon drejtpërdrejt në rënien e lindshmërisë dhe në emigrimin masiv të çifteve të reja. Shumë nga projektet e shpallura nga institucionet për banesa sociale ose për subvencionim kredish janë të vonuara ose të parealizuara.
Qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit, por përkundrazi e ka rënduar atë, edhe pse biznesi i betonit ka lulëzuar në Shqipëri.
Në kryeqytet ka mijëra apartamente të pashitura, sepse ndërtimi nuk po përdoret si mekanizëm strehimi, por si mjet për pastrimin e parave të pista.
Fondi 3% i banesave, që synon t’u merret ndërtuesve për t’u dhënë qytetarëve si banesa sociale, nuk është zbatuar. Ky fond do të mundësonte strehimin e shumë familjeve në vështirësi ekonomike në Tiranë.
Partia e Lirisë ka një vizion të qartë për të zgjidhur këtë problematikë të rëndë sociale. Ne fokusohemi në programet e subvencionimit për përfitimin e strehimit, por njëkohësisht edhe në investime për ndërtimin e banesave sociale.
Ky program ka si kritere jo vetëm nivelin e të ardhurave, por edhe përparësi për familjet e reja, prindërit e vetëm, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, studentët, etj.
Rritje të fondit të buxhetit të shtetit dhe bashkëfinancim me Bashkinë e Tiranës, e cila përballon problematikat më të mëdha në rang kombëtar në politikat sociale të strehimit. Garantimi i një transferte të kushtëzuar për strehimin në shpërndarjen e fondit nga qeveria qendrore.
Krijimi i një zëri të veçantë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për strehimin e familjeve që preken nga programet urbanistike.
Programi politik i Partisë së Lirisë shumëfishon numrin e familjeve në nevojë, familjeve të reja dhe të gjitha kategorive sociale që kanë nevojë për mbështetje për strehimin e tyre. Partia e Lirisë ka vullnet të plotë politik dhe është e vendosur për të zgjidhur këtë problematikë sociale.









