Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci është vënë nën akuzë, në mes të muajit prill, gati 3 javë para zgjedhjeve. Në një dokument të publikuar nga Syri Tv, Beci bashkë me 6 të tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Të pandehurit e tjerë, janë Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti. Në dokumentin e mëposhtëm thuhet se nga hetimet ka rezultuar se “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, me datë 18.12.2019, ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor) me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milion e pesëqind mijë) lekë. Për këtë hetim ndaj Becit nuk ka pasur asnjë njoftim nga SPAK para zgjedhjeve.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të dokumentit që tregon marrjen zyrtarisht, nën hetim të kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci dhe ‘fshehjen’ për opinionin publik nga ana e SPAK.
“Marrja si i pandehur i kryetarit të bashkisë Shkodër nga Prokuroria e Posaçme që në Tetor 2024 është një informacion që duhet të ishte ndarë me publikun.
Fshehja e këtij informacioni, ndryshe nga sa është vepruar me çdo çështje tjetër, e kompromenton rëndë integritetin e Prokurorisë së Posaçme.
Nuk ka asnjë arsye që Benet Beci të ketë një status të posaçëm nga zyrtarët e tjerë publikë që janë marrë të pandehur. Aferat në sektorin e energjisë janë të larmishme dhe SPAK duhet të shkojë tek koka e aferës që është ministrja Belinda Balluku.
Sot gjithashtu media ka referuar një informacion të Prokurorisë së Posaçme se një ministër në detyrë është person nën hetim prej saj.
Kjo nënkupton që ministri është njoftuar për këtë pozitë procedurale, informacion që gjithashtu duhet të ishte ndarë me publikun.
Aplikimi i ligjit me disa standarde nga SPAK, dhe ndarja e informacionit me publikun në mënyrë selektive, nuk i shërben rritjes së besimit të publikut tek drejtësia dhe dëmton rëndë reputacionin e SPAK”, shkruan Bardhi.