Specialistët e Policisë në Elbasan kanë arrestuar Astrit Sinanajn, 49 vjeç, banues në Tiranë, pas ekzekutimit të urdhrit të Prokurorisë për kapjen e tij. Ai është dënuar me 22 vite burg dhe ka për të vuajtur edhe 13 vite të mbetura, për disa vepra penale serioze, përfshirë tentativën për vrasje dhe përdorimin e armëve shpërthyese.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka konfirmuar dënimin që më parë ishte dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, duke lënë në fuqi vendimin për ndalimin e tij. Astrit Sinanaj akuzohet se më 6 maj 2017 ka vendosur rreth 1 kilogram tritol në automjetin e biznesmenit Fuad Verzivolli në Elbasan, duke tentuar një atentat që fatmirësisht dështoi dhe mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha.
Hetimet tregojnë se shpërthimi u pengua falë një qytetari që vuri re një pako të dyshimtë dhe njoftoi policinë. Gjithashtu, për identifikimin e tij u përdorën edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku u duk Astrit Sinanaj në vendin e ngjarjes.
Ndërsa i arrestuari ka mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk është personi në video dhe se telefoni i përdorur për telekomandimin nuk i përket atij, gjykatat kanë vendosur të mbajnë në fuqi dënimin.
Policia thekson se arrestimi i Sinanajt është pjesë e përmbushjes së ligjit dhe përfundimit të periudhës së dënimit të tij.








