Të paktën 78 persona janë vrarë dhe mbi 320 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në disa rajone të Iranit. Shifrat janë bërë publike nga përfaqësuesi iranian në Kombet e Bashkuara, ndërsa autoritetet vendore dhe Kryqi i Kuq iranian kanë dhënë detaje për humbjet në terren.
Guvernatori i provincës veriperëndimore të Azarbajxhanit Lindor, Bahram Sarmast, ka konfirmuar se në këtë rajon kanë humbur jetën 31 persona, përfshirë 30 ushtarë dhe një punonjës të Kryqit të Kuq. Më tej, ai njoftoi se janë plagosur të paktën 55 persona në të njëjtin rajon.
Televizioni shtetëror iranian raportoi gjithashtu për 60 viktima nga një goditje izraelite në një ndërtesë në Teheran, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një bilanc zyrtar të përgjithshëm.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq iranian deklaroi se dy prej punonjësve të tij janë vrarë në një tjetër sulm që goditi një ambulancë në Azerbajxhanin Perëndimor.
Shifrat e larta të viktimave dhe dëmet e shkaktuara kanë ngritur shqetësime serioze për përshkallëzimin e konfliktit në rajon. BBC raporton se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur informacionet e bëra publike deri tani nga autoritetet iraniane.