Një 28-vjeçar shqiptar i identifikuar si Mario Bacaj, ka ndërruar jetë pasi është hedhur nga një ndërtesë pranë një bari të njohur në qendrën tregtare të Adelaide-s.
Ngjarja ka ndodhur ditën e dielë pranë Bar & Restorantit 2KW, i vendosur në katin e tetë të ndërtesës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar katër njësi të Shërbimit të Zjarrfikësve, dy ambulanca dhe tre automjete policie.
Hetimet po vijojnë dhe dyshohet si një incident i lidhur me shëndetin mendor për shkak të depresionit. 28-vjeçari shqiptar ishte baba i një djali të vogël dhe ish-futbollist i ekipit “West Adelaide Raptors Soccer”.
Ekipi me anë të një postimi në rrjete sociale i ka shprehur ngushëllime familjes dhe e kanë përshkruar Marion si një lojëtar i shkëlqyer.
“Klubi është i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë, Mario Bacaj. Mario ishte më shumë se një lojtar i shkëlqyer, ai ishte një mik që u desh dhe u respektua nga të gjithë në klub. Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për Kristjianin dhe gjithë familjen në këtë kohë shumë të vështirë. Do të mbetesh gjithmonë në mendjet tona, shoku. U prehsh në paqe”, thuhet në mesazhin e ekipit.