Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka deklaruar se po kryhet një operacion evakuimi për 5 shqiptarët që ndodhen në Izrael.
Hasani tha se ata do të sillen shumë shpejt në Tiranë. Ai deklaroi se Egjipti dhe Jordania kanë qenë shumë ndihmuese në këtë proces të evakuimit.
“Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit.
Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri.
Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro.
Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë”, tha Hasani.









