Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në rrjetin e tij social ka reaguar në lidhje me përhapjen e murtajës së bagëtive të imta në disa qarqe të vendit.
Meta e cilëson këtë si një katastrofë për blegtorinë dhe se zgjidhja është vaksinimi. Ai thotë se mungesa e vaksinimit po shkreton blegtorinë. Meta akuzon qeverinë se po ndjek një strategji të qëllimshme shkatërrimi.
“Murtaja e bagëtive të imta është një katastrofë për blegtorinë, sektor jetik i lënë në mëshirë të fatit dhe tashmë i rrënuar edhe nga mungesa e subvencioneve. Zgjidhja është e thjeshtë: vaksinimi, që nuk po kryhet.
Me vetëm 3 euro mund të blihen 100 doza vaksine, ose me 30 mijë euro, më pak se një shishe verë që pi në ditë Kryerilindasi, mund të shpëtohet një sektor i tërë, të gjitha tufat, stanet dhe fermat e ndërtuara me shumë mund dhe sakrificë, që rrezikojnë të shfarosen vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë së një Qeverie, që paralelisht me shpopullimin e Shqipërisë po shkreton edhe blegtorinë”, shkruan Meta.