Deputetja demokrate, Jorida Tabaku shprehet se në mbledhjen e Komisionit të Stabilizim-Asociimit kanë ngritur shqetësimet për zgjedhjet, korrupsionin, mungesën e sundimit të ligjit dhe abuzimet me tenderat publikë.
Tabaku tha se kjo mbledhje ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët mes palës opozitare dhe mazhorancës.
Ajo thekson se shqiptarët kanë nevojë që procesi i integrimit të ndihet në jetën e përditshme dhe jo të mbetet një slogan politik në tavolinat e qeverisë.
“Ngritëm shqetësimet për zgjedhjet, korrupsionin, mungesën e sundimit të ligjit dhe abuzimet me tenderat publikë.
Shqiptarët kanë nevojë ta prekin integrimin në jetën e përditshme, jo vetëm në deklarata politike. Procesi nuk mund të ecë përpara pa zgjedhje të lira, demokraci funksionale dhe reforma të thella. Mbi të gjitha nuk mund të ecë pa u përfshirë opozita, shoqëria shqiptare dhe pa pasur një diskutim mbarëkombëtar!
Nuk jemi këtu për të firmosur deklarata sa për sy e faqe. Jemi këtu për të kërkuar ndryshime reale për qytetarët!”, shprehet Tabaku.