Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka pasur një konflikt midis përfaqësuesve të Iranit dhe Izraelit teksa po diskutohej konflikti ushtarak në rritje. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi se bota po nxiton drejt krizës. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca bënë thirrje për një shtensionim urgjent.
Ambasadori iranian, Amir Saeid Iravani e quajti sulmin izraelit “të paprovokuar”. Ai këmbënguli se programi bërthamor i vendit të tij ishte paqësor dhe akuzoi SHBA-në për bashkëpunim dhe pjesën tjetër të Këshillit të Sigurimit për dështim për të vepruar. Gjithashtu ai tha se Irani do të vazhdojë të mbrohet derisa të ndalojë veprimi ushtarak i Izraelit.
Ndërsa ambasadori izraelit, Danny Danon në fjalimin e tij që pasoi akuzoi Iranin se ka një “axhendë gjenocidale” duke pretenduar se aftësia e tij për të vendosur armë bërthamore po afrohej më shpejt nga sa mund ta imagjinonte kushdo.
Izraeli sipas tij nuk do të ndalonte së godituri objektet e tij bërthamore derisa kërcënimi të “zhdukej”.
“Si guxoni t’i kërkoni bashkësisë ndërkombëtare t’ju mbrojë nga pasojat e axhendës suaj gjenocidale? Ju nuk jeni viktimë. Ju nuk jeni diplomat. Ju jeni një ujk i maskuar si diplomat dhe ne kemi mbaruar së pretenduari të kundërtën”, tha ai.