Vazhdon rinumërimi i votave në Tiranë. Anëtari i KAS Koli Bele u shpreh se deri të hënën pritet që të kenë përfunduar të gjithë procesin. Bele tha se KAS po kryen vetëm procesin administrativ dhe nuk është organ hetimor.
“Procesi është i gjatë dhe deri diku i panatyrshëm se nuk është ndërtuar Kodi Zgjedhor që një trup me pesë vetë të zëvendësojë 11 KZAZ e Tiranës dhe disa qindra numërues që po zëvendësohen nga një administratë e KQZ. Janë numëruar gjysma e kutive, dhe në këtë ritëm normal, ndoshta të shtunën ose maksimalisht të hënën do të kemi një përfundim të procesit.
Duhet të kuptojmë se ky proces në vetvete nuk bën hetimin për kuti, por rinumërohen dhe dalin në një rezultat përfundimtar. Për të konkluduar nëse në një rast ka diferenca të mëdha apo jo qëllim kriminal, duhet hetuar në një proces tjetër. Ne nuk jemi duke hetuar kuti më kuti çfarë ka ndodhur. Numërohet, tabulohet dhe bëhet një rezultat përmbledhës.”, u shpreh Bele.