Deputetët kanë shënuar herën e 38-të që dështojnë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu. Në sallë kanë qenë 95 deputetë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka akuzuar drejtuesin e seancës, Avni Dehari për abuzim me detyrën që ka, pasi ai i ka ftuar partitë që të propozojnë nga një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.
Jehona Lushaku-Sadriu u shpreh se sot u cenua vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u sqarua aspekti juridik i funksionimit të Kuvendit. “Kjo e sqaron përgjegjësinë e partisë politike që ka fituar shumicën relative. Ne do të sillemi siç sillen partitë që duan një vend demokratik”, ka thënë ajo.
Sipas saj dhe presidentja duhet të marrë rol në tejkalimin e kësaj gjendjeje. “Partitë politike garojnë në zgjedhje me qëndrime të qarta. Ne nuk kemi shprehur interesim të bashkëqeverisim me Vetëvendosjen”, ka thënë ajo.
Hymete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka lutur Deharin që t’i kthehet rendit të ditës me votim të hapur. Për të dyja këto parti, dhe parti tjera më të vogla, ndryshimi i mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka përshkruar situatën në Kosovë si tepër të rëndë dhe e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se vetëm synon të përkeqësojë edhe më tepër situatën.