Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Bangkokut, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministres Paetongtarn Shinawatra, pas publikimit të një telefonate të saj me ish-kryeministrin kamboxhian Hun Sen.
Në bisedën që shkaktoi zemërim publik, ajo iu referua Hun Sen si “xhaxha” dhe kritikoi një komandant ushtarak tajlandez, duke e quajtur deklaratën e tij “të padobishme”. Kjo ka sjellë edhe largimin e një partneri kyç nga koalicioni qeverisës.
Pavarësisht kërkesës për falje dhe justifikimit të saj si “strategji negociuese”, protesta e së shtunës ishte më e madhja që nga ardhja në pushtet e partisë Pheu Thai në vitin 2023.
Protestuesit, të pashqetësuar nga shiu, mbanin pankarta dhe thërrisnin kundër kryeministres, duke e quajtur “armik të shtetit”.