Ka zgjatur vetëm pak minuta seanca e parë gjyqësore për dosjen Partizani në GJKKO. Në seancë mungoi Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërsa ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës duke thënë se Berisha nuk është njoftuar sipas ligjit.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i rregjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqsor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi. Fill pas urdhërit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij” Berisha.
Treshja gjykuese, me kryesuese Elsa Ulliri dhe relatorë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi, vendosën që ta shtyjnë seancën më datë 21 korrik ora 10:30. Por Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri.









