Deputetja Ina Zhupa ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, që trajton zonat e mbrojtura.
Ajo argumenton se ky ligj është miratuar në shkelje të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare, pasi amendamentet e propozuara nga Këshilli i Ministrave nuk janë vënë në konsultim publik, duke cenuar transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare.
Për më tepër, ligji nuk përmban raport mbi efektet financiare, pavarësisht se krijimi i Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës parashikon shpenzime të konsiderueshme.
Një shqetësim i madh lidhet me liberalizimin e ndërtimit të resorteve luksoze në zonat e mbrojtura, të cilat më parë ishin të kufizuara, duke favorizuar interesat e oligarkëve në dëm të pasurisë publike dhe mjedisit natyror.
Zhupa i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese të veprojë me përgjegjësi, duke mbrojtur trashëgiminë kombëtare, interesin publik dhe parimet e solidaritetit social, për t’i garantuar brezave të ardhshëm një mjedis të pastër dhe të qëndrueshëm.