Debate dhe akuza të forta në seancën e sotme në gjyqin kundër Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë që ka zbardhur disa krime deri tani. Situata u tensionua kur avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës që në momentin kur të dëshmojë Erjon Alibej të largohet nga salla Nuredin Dumani. Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokuroria dhe vetë Dumani. Gjykata vendosi që gjatë dëshmisë së Alibej, Dumani mund të qëndrojë në sallë.
Avokatja Elda Zotaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares kryesuese Engjëllushe Tahiraj nga trupa e gjykimit në këtë proces. Prokurori Behar Dibra reagoi ashpër, duke e cilësuar sjelljen e avokates Zotaj si të qëllimshme.
“Duhet të merret një vendim për të zëvendësuar avokaten, qoftë kryesisht. Kjo është bërë shkak për ndërprerjen e seancës për herë të disatë,” deklaroi Dibra.
Prokurorja Doloreza Musabelli e cilësoi kërkesën e Zotajt si të pabazuar ligjërisht dhe kërkoi që të caktohet masa maksimale ndaj avokates. Gjykata e Posaçme vendosi zëvendësimin e avokates Elda Zotaj me avokaten Pranvera Doci.