Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka dhënë një mesazh në lidhje me operacionin e finalizuar nga policia e Kukësit për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.
Proda shprehet se ky operacion është dëshmi që Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit.
Ai ka falenderuar dhe vlerësuar punën e policisë së Kosovës, efektivët e patrullës, Shqiponjat dhe specialistët e hetimit që goditën trafiku e armë të zjarrit duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe kanë arrestuar dy persona nga Kosova.
“Armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar.
Policia e Shtetit është e përfshirë maksimalisht në veprime parandaluese, hetimore dhe operacionale, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë, për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.
Në këtë betejë të përditshme, jam i bindur se suksesi i plotë vjen vetëm me bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, shoqërinë civile, të rinjtë e të rejat dhe median.
Ndërsa ne punojmë për sigurinë tuaj, ju ftoj të qëndroni pranë Policisë, të bashkëpunoni dhe të jeni pjesë e kësaj fryme të re të besimit dhe respektit reciprok.
Së bashku, do të forcojmë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona.
Faleminderit strukturave të Policisë për profesionalizmin dhe angazhimin maksimal, edhe në këto ditë shumë të nxehta.
Faleminderit qytetarëve që dita-ditës besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit.
Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme.”, shprehet Proda.









