Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, importet nga Serbia janë dyfishuar, duke arritur në 110.53 milionë euro, krahasuar me vetëm 50.64 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja prej mbi 118%, ka shkaktuar shqetësime të thella te organizatat ekonomike dhe bizneset vendore.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur alarmin, duke theksuar se situata aktuale nuk është vetëm një çështje ekonomike, por një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj prodhimit vendor dhe identitetit ekonomik të Kosovës.
“Ky zhvillim është rezultat i heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe, vendim i marrë nga Qeveria e Kosovës pa as një kushte në tetor të vitit të kaluar, nën trysninë e faktorit serbë dhe ndërkombëtar. Pasojat tashmë janë të dukshme: produktet “Made in Kosovo” po zëvendësohen nga ato serbe në rafte, në tregje e në tryezat tona. Kjo situatë nuk është vetëm çështje tregu – është çështje dinjiteti dhe vetëvendosjeje”, thuhet në deklaratën e AKB-së.
Sipas AKB-së, kjo situatë është pasojë direkte e heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe në tetor të vitit të kaluar, që sipas tyre vendimi u mor pa kushte nga Qeveria e Kosovës nën presionin e faktorëve ndërkombëtarë dhe serbë.(lexo KËTU për më shumë)