Në daljen e tij të parë publike pas lirimit nga burgu, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji deklaroi se dënimi i tij ishte një sakrificë në emër të së vërtetës dhe interesit publik, duke e konsideruar tërësisht politik.
“Jam i pari në 34 vite që dënohet për një kallëzim të rremë, që në fakt nuk ka qenë as kallëzim, por një denoncim i Partisë Demokratike. S’kam qenë i akuzuar për korrupsion, por kam bërë një denoncim që ka pasur kosto për qeverinë,” – tha Salianji gjatë konferencës në selinë blu.
Sipas tij, burgosja synonte ta izolonte politikisht para zgjedhjeve të 11 majit dhe të dërgonte një mesazh frikësues ndaj opozitës. Ai akuzoi mazhorancën se vepron përmes drejtësisë së kapur dhe përmendi si shembull gjyqtarin që dha vendimin ndaj tij, duke aluduar për përfitime politike.
“E mora si kosto të të vërtetës dhe moralit. U dënova nga një gjyqtar që kërkon të shkojë në Gjykatën e Lartë. Kjo ishte një hakmarrje politike sepse i kam mundur përfaqësuesit e Ramës aty ku kam garuar,” – shtoi ai.
Salianji njoftoi se do të vijojë betejën në Gjykatën e Strasburgut, ndërsa u shpreh i vendosur të mos tërhiqet nga angazhimi politik.