Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetim paraprak për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës – një projekt që ka ngjallur debate për kostot e larta dhe ndikimin mjedisor. Lajmi konfirmohet nga vetë SPAK përmes regjistrit të kërkesave për të drejtë informimi, ku theksohet se hetimi është në fazën fillestare.
Aeroporti po ndërtohet në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës dhe pritet të financohet nga buxheti i shtetit me rreth 138 milionë euro në 13 vite, pavarësisht fitimit apo funksionalitetit të tij. Kontrata fillimisht u fitua nga një konsorcium i udhëhequr nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe një kompani turke, e cila më pas hoqi dorë, duke shitur aksionet për vetëm 4450 euro.
Projekti është kritikuar nga ambientalistët dhe ekspertët për shkeljen e ligjit të zonave të mbrojtura, si dhe për mungesën e një studimi të besueshëm që të justifikojë ndërtimin e një aeroporti të dytë, vetëm 100 km larg aeroportit të Rinasit.
Ndërkohë, rasti ngjason me aeroportin e Kukësit, që u hap me mbështetje politike, por aktualisht funksionon me kapacitet minimal për shkak të mungesës së trafikut ajror.