Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 45-të, meqë partitë politike vazhdojnë të ngulojnë se kanë të drejtë në qëndrimet e veta.
Në seancën e 11 korrikut kanë marrë pjesë 93 deputetë.
Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar kryesuesin e seancës Avni Dehari – nga Lëvizja Vetëvendosje – për shkelje të Kushtetutës.
“Kjo është e papranueshme”, ka thënë Tahiri nga foltorja e Kuvendit, teksa Dehari ka kërkuar që atij t’i ndalet mikrofoni. Akuza kundër Deharit kanë pasur edhe përfaqësues të partive tjera, të cilëve, gjithashtu u është ndalur mikrofoni.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje – fituese e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit – kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Ata janë parë duke mbajtur në duart pankarta me mbishkrimet: “Demokracia nuk është veç procedurë”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “120 rroga, 0 përgjegjësi”, e tjera./ REL