Chelsea ka marrë një epërsi të sigurt ndaj Paris Saint-Germain në finalen e Kupës së Botës për Klube, që po luhet në stadiumin MetLife në SHBA. Skuadra angleze kryeson 2-0 pas pjesës së parë, falë një paraqitjeje mbresëlënëse të Cole Palmer, i cili realizoi dy herë brenda pak minutash.
Goli i parë erdhi pas një kombinimi të bukur me Malo Gusto-n, ndërsa i dyti pas një aksioni të ngjashëm, që konfirmoi dominimin e londinezëve në këtë sfidë. Chelsea po kontrollon ritmin dhe po i mban nën presion kampionët e Francës, të cilët duken të befasuar nga intensiteti i ndeshjes.
Kjo është hera e parë që finalja e këtij turneu zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, dhe Chelsea po synon të lërë gjurmë, duke e kurorëzuar me trofe këtë eksperiencë ndërkombëtare. Ndërkohë, PSG duhet të reagojë në pjesën e dytë nëse dëshiron të ndryshojë fatin e takimit.