Disa thonë se rrënimi i ndërtimeve në Theth tregon se Shqipëria ka rënë si shtet.
Por jo, rrënojat e Thethit në të vërtetë dëshmojnë se me ardhjen e Piktorit në pushtet ajo është zhbërë si shtet.
Pra Thëthi tregon se Shqipëria nuk është as shtet demokratik, as autokraci as diktaturë, por pronë private e Piktorit, ku të gjithë veprojnë ashtu siç e përshkroi klithma e famullitarit të Shkodrës, Dom Vlash Palaj: të joshin, të rrejnë, të shfrytëzojnë, të vjelin dhe në fund të hedhin, të tradhtojnë, të djegin, të shkatërrojnë dhe të gjobisin e të burgosin.
Por duhet të jemi të drejtë e të themi se Shqipëria u bë ‘Ramaduristan’ jo pse këtë e donte vetëm Piktori, por pse publikisht iu kërkua atij t’i grumbullonte rreth vetes të gjithë qelbësirat dhe ta merrte në duar shtetin.
Dhe ai erdhi në pushtet edhe me ndihmën e “Aleancës së qelbësirave’ sepse atë e donin gjithë ato elita që heshtnin dhe heshtin, të gjithë ata alamet akademikë, profesorë e debatues të ‘pavarur’ që për çdo natë e gënjejnë popullin se jeton në shtet të mirëfilltë duke e fshehur të vërtetën se për çdo gjë që sot kanë shqiptarët e mëmëdheut, vendosë pronari i vetëm i tyre – Piktori.
Të thonë hapur se një Shqipëria ku në masë të madhe krimineli i përfaqëson të ndershmit, ku nuk të pasuron puna por hajdutëria, ku më së miri përfitohet nga shërbesat që ia bënë Piktorit, se një shtet i tillë nuk mund të arrinte më larg se aty ku ndodhet sot: i ‘afërt’ me të huajt dhe BE-në, por i largët për shqiptarët.
Dhe u bë Shqipëria e tillë sepse Piktori e kuptoi më parë dhe më mirë se gjithë të tjerët se Evropa humane dhe e të drejtave njerëzore qëmoti ka vdekur. Se Evropa e sotme nuk i mat burrështetasit e kësaj pjese të Ballkanit me atë sa ata ndërtojnë shtet institucional, por sa janë të aftë e të gatshëm ta nënshtrojnë popullin e vet dhe të mbeten në pushtet!