Në historinë e regjimeve, nga ato komuniste te ato moderne me maska demokratike, një tipar mbizotërues ka qenë gjithmonë lufta ndaj zërit të ndërgjegjes. Dhe askush nuk përfaqëson më fuqishëm ndërgjegjen morale të një shoqërie sesa kleri.
Regjimet nuk e durojnë dot një autoritet që nuk e kanë emëruar vetë. Ata nuk tolerojnë një zë që nuk kontrollohet, një fjalë që buron nga besimi dhe jo nga partia. Ata kanë frikë nga një altar që s’ka nevojë për licencë nga qeveria, por për liri nga Zoti.
Regjimet moderne nuk e luftojnë klerin për arsye fetare. Ata e sulmojnë sepse kleri përfaqëson një fuqi të pakontrollueshme që mbart autoritet dhe ndikim.
Në rastin Rama vs Dom Vlash Palaj, nuk jemi para një debat fetar apo një keqkuptim personal.
Jo, sulmi ndaj Dom Vlash Palajt nuk është rastësor.
Është vazhdimi i një tradite të vjetër: regjimi e patronazhistët-sigurimsa të tij duan ta kenë edhe Zotin dhe përfaqesuesin e tij në tokë, në listën e partisë.
Jemi ne atë përplasjen klasike mes pushtetit të kalbur dhe zërit të ndershëm, mes një kryeministri që do të kontrollojë gjithçka nga vota deri te Zoti dhe një meshtari i cili guxon të flasë për realitetin që të tjerët e fshehin.
Rama e sulmoi klerikun simbol të përkushtimit në shërbim të komunitetit, sepse Dom Vlash Palaj nuk heshti, nuk u nënshtrua, nuk tradhëtoi shërbesën e misionin e tij.
Sepse foli hapur për dhunën ndaj banorëve të Thethit, për shembjet pa ligj, për mashtrimin e Ramës, për arrogancën e pushtetit ndaj malësorëve. Ai bëri atë që pushteti e urren më shumë: ia përplasi të vërtetën në sy.
Dom Vlash Palaj nuk është as kundërshtar politik, as aktivist.
Është një njeri i Zotit që refuzon të heshtë përballë padrejtësisë.
Dhe pikërisht për këtë, bëhet armik i regjimit.
Fjala e tij e lirë është armiku.
Dhe kur kjo fjalë njësohet me petkun e autoritetit fetar, bëhet më e fuqishme se çdo propagandë.
Për këtë arsye regjimet, nga Hoxha te Rama, kanë tentuar e tentojnë gjithmonë të delegjitimojnë, poshtërojnë dhe frikësojnë klerin.
Dhe ky rast, ironikisht ndoshta i vogël për median zyrtare të Ramës, është një sinjal i madh për shoqërinë shqiptare.
Ai na kujton se në mungesë të lirisë së fjalës e lirive politike, të drejtësisë së pavarur dhe të mediave të ndershme, kleri mbetet një nga zërat e fundit të lirisë.
Kur pushteti nis të sulmojë edhe klerin, ai hapur kërkon të deklamojë se ka ndërtuar një republikë të frikës dhe të arrogancës.
Dom Vlash Palaj nuk është thjesht vetëm një prift.
Ai është zëri i një komuniteti që nuk pranon të nënshtrohet. Ai është kujtesa e një Shqipërie që nuk shet shpirtin për interesa e aq më pak nga terrori, as hesht për vendime të paligjshme.
Kleri i vërtetë nuk është me pushtetin, por me të vërtetën.
Ndaj sulmi ndaj tij është tregues i qartë: kemi të bëjmë me një regjim që po humbet kontrollin dhe që ka frikë nga gjithçka që nuk e komandon dot.
Sepse kur kleriku bëhet armiku i pushtetit, është pushteti ai që mbart mëkatin dhe përfaqěson të keqen e djallin.