Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohje të thellë dhe respekt të madh për Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet,” tha Rama, duke vijuar: “Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj, Sheikh Zaued bin Sultan Al Nahyan. Zoti e ndriçoftë shpirtin e tij në paqe të përjetshme.”
Kryeministri kujtoi momentet kur Presidenti i Emirateve, atëherë oficer i ri, ndihmoi në organizimin e ndihmave për refugjatët shqiptarë të Kosovës, duke zbarkuar në Shqipëri në një kohë të vështirë.
“Emri juaj dëgjohet me respekt dhe përmendet me shpresë në mbarë botën,” përfundoi Rama.