Për këdo që ndjek zhvilli met e fundit, nuk ka më vend për dyshim se ajo që po ndodh me largimet masive të drejtuesve vendorë (dorëheqje të detyruara, spastrime të heshtura dhe lëvizje pa procedurë) nuk është reformë administrative, por një rast tipik spastrimi që i shkon përshtat shprehjes “Revolucioni i ha bijtë e vet”. Drejtorët, administratorët që janë njëherazi drejtuesit lokalë të Partisë Socialiste (bërthama e fitores së Rilindjes në terren) tani po largohen me zor si të konsumuar, sepse pas zgjedhjeve nuk i shërbejnë më pushtetit qendror.
Sikundër Viktor Frankenstein që u shkatërrua nga përbindësh që vetë krijoi, edhe këta udhëheqës lokalë po përjetojnë pasojat e pushtetit të centralizuar që ka marrë përmasa monstruoze dhe që nuk respekton as besnikërinë e as meritat e tyre për “revolucionin elektoral të rilindjes”, por njeh vetëm shfrytëzim dhe flakje. Ky fenomen nuk është aspak i rastësishëm. Një pushtet i ndërtuar mbi përkulje të verbër, servilizëm dhe oportunizëm, nuk ka aspak kujtesë. Nuk ndalet të mendojë kush kontribuoi dje – kalkulon vetëm kush është i dobishëm sot. Dhe kështu, ata që mbajtën barrën, që pranuan të bëhen instrumente dhe të shtrydhnin burimet e tyre personale për fitoren e partisë, sot përfundojnë të dëbuar si mall i skaduar – pa një fjalë falënderimi, vetëm me një fletë dorëheqjeje të detyruar dhe heshtjen poshtëruese të asaj partie që ata vetë e kanë ushqyer.

Por në thelb, problemi është më i thellë sesa fati personal i disa funksionarëve, që ishin të implikuar me vullnet të lirë e përfitonin nga sistemi, derisa ai i nxori si pjesë këmbimi skarco. Problemi më i madh ka të bëjë me deformimin e demokracisë dhe nëpërkëmbjen e vullnetit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale. Sjellja aktuale tregon se përfaqësuesit vendorë, megjithëse të votuar, nuk gëzojnë më autonominë minimale institucionale për të qeverisur në bashkinë e tyre, sepse vendimet për strukturat vendore, drejtuesit dhe agjendën zhvillimore po merren në Tiranë. Në një vend normal liberal-demokratik askush nuk ka të drejtë ta anashkalojë apo ta shkelë vullnetin e shprehur në zgjedhje lokale, duke ndërhyrë në përbërjen e administratës vendore si të ishte një kompani private. Për më tepër, IKMT-ja është nën kontrollin e qeverisë qendrore, prandaj nuk ka kuptim që vetëm pushteti vendor të fajësohet për praninë e ndërtimeve pa leje.
Përtej nëpërkëmbjes së pushtetit vendor dhe centralizimit ekstrem të pushtetit në dorë të kryeministrit, akoma më shqetësuese është fakti që ky spektakël është edhe dëshmi se: selektiviteti është parim politik i kësaj qeverie. Teksa “sardelet” e pushtetit lokal shkarkohen dhe poshtërohen publikisht, në nivel qendror qeveria mbyll njërin sy përballë aferave që implikojnë “peshqit e mëdhenj” pranë kokës së pushtetit. Nuk janë katet shtesë pa leje në kulla luksoze ato që po ndëshkohen por janë kafenetë, kioskat, dhe bizneset e vogla që kapen në kurthin e spektaklit. Këta janë të pambrojtur, të ekspozuar, dhe mbi të gjitha, të pafuqishme politikisht. Nëse ke marrëdhënie me pushtetin, mund të ndërtosh edhe në park kombëtar si Butrinti apo Sazani (sidomos po e pate vjehrrin president). Nëse je i afërt me udhëheqjen, edhe shkeljet urbanistike quhen “vizion zhvillimi”. Nëse jo, edhe një tendë mbi trotuar mund të të kushtojë mbylljen e aktivitetit.
Selektiviteti apo aplikimi i standardeve të dyfishta është mjet i fuqishëm kontrolli, për të treguar se ligji aplikohet vetëm mbi ata që nuk kanë akses në pushtet. Kjo sjellje shemb parimin e barazisë para ligjit, i nxjerr themelet e shtetit të së drejtës nga toka, dhe mbjell një atmosferë frike të heshtur, por të ngulitur thellë. Krijon një pasiguri të përhershme, ku askush nuk ka garanci, përveç atyre që i rrinë pranë rrethit të pushtetit. Të tjerët jetojnë nën hijen e ndëshkimit të papritur që mund të vijë pa paralajmërim, ku fatin nuk e përcakton ligji, por afërsia me pikën e gravitetit të pushtetit.
Këtu duhet theksuar që nëse vërtet ekziston vullneti për të ndëshkuar korrupsionin apo neglizhencën lokale, shteti nuk ka pse të veprojë në mënyrë selektive e impulsive. Ka mjaft mekanizma ekzistues, ligjorë dhe institucionalë, që bëjnë të panevojshme çdo “aksion spektakolar”. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka prodhuar qindra auditime, me shkelje të detajuara financiare, të cilat shpesh nuk ndiqen penalisht e që qeveria mund t’i çojë në prokurori. Kuvendi mund të krijojë komisione hetimore parlamentare, të cilat kanë fuqi të gjera për të hetuar keqpërdorimin e fondeve publike. SPAK dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive kanë autoritet për të hetuar pasurinë dhe abuzimet e zyrtarëve lokalë. Pra, në vend të dorëheqjeve të detyruara “me urdhër partie”, mund të kishte kallëzime formale dhe procese të qarta hetimore.
Për më tepër, kjo fushatë është veçanërisht revoltuese për faktin që po zhvillohet në një moment krejtësisht të gabuar, sepse përkon me kulmin e sezonit turistik. Vizitorët që mbërrijnë me pritshmëri për relaks dhe përvoja autentike, përballen papritur me skena që më shumë u ngjajnë pamjeve të Gazës pas bombardimeve sesa një vendi në paqe. Rrënoja të freskëta, ndërtime të shembura brutalisht, pluhur në ajër dhe tavolina të kthyera përmbys, inspektorë dhe policë të armatosur që përplasen me pronarë, krijojnë një atmosferë të pasigurt dhe të dëshpëruar — larg çdo ideje të mirëmenaxhimit urban apo të një shteti funksional. Në vend që të ndërtojmë imazhin e një vendi me rend dhe mikpritje, po shfaqemi si një territor ku ligji zbatohet si hakmarrje e papritur
Mënyra se si po ndërmerret fushata kundër ndërtimeve pa leje (paralel me atë kundër prodhimeve artizanale) lënë të kuptohet se qeveria thjesht reagon dhe nuk qeveris, si dhe nga shteti i së drejtës kemi kaluar tek shteti i “të menjëhershmes”. Vendimet nuk burojnë nga procesi, por nga impulsi dhe në vend të planeve të mirëstrukturuara, kemi “aksione spektakolare”; në vend të reformave sistemike, kemi nisma spontane që shuhen me po atë shpejtësi me të cilën u ndezën. Policia dhe inspektorët lëshohen rrugëve herët në mëngjes, sepse kryeministri iu ka dhënë porosi në darkë. Ministrat shfaqen si detektivë të vonuar të krizave dhe çdo problem kthehet në një reality show ku udhëheqja improvizon heroizëm në vend të përgjegjësisë.
Në një demokraci funksionale, shteti nuk drejtohet me emocione e improvizime të rastit, por me ligj, institucion, parashikueshmëri e largpamësi. Por ne jetojmë sot në një sistem ku shteti nuk është më një makinë që ecën mbi binarët e institucioneve, por një anije pa busull, që nuk ndjek më një drejtim të qëndrueshëm, por lëviz me erën e radhës, me impulsin e ditës apo çdo kthesë momentale të humorit të udhëheqësit. Qeverisja jonë është kthyer në një teatër improvizimi, ku skenari nuk shkruhet më nga Kushtetuta, ligjet apo planet strategjike, por nga instinkti i çastit dhe nevoja për të prodhuar efekte emocionale e spektakël. Vendimet merren “live”, pa përgatitje, pa konsultim, pa analizë kosto-përfitim
Vendimet e mëdha, që prekin jetën e shumë qytetarëve, po merren në një mënyrë arbitrare e të ngutshme, gjë që refuzon transparencën dhe llogaridhënien publike. Asnjë nga masat e fundit nuk ka kaluar në analiza studimore, debate parlamentare, konsultime publike apo diskutime të hapura, duke e kthyer procesin në një monolog të qeverisë dhe duke shkatërruar parimin bazë të kontrollit dhe balancës. Mungesa e transparencës është premisë për abuzim me pushtetin dhe kapje të shtetit, ku vendimmarrja shndërrohet në instrument arbitrariteti, larg nevojave dhe interesave reale të shoqërisë.
Me pak fjalë, ad hoc është kthyer në normë ndërsa institucioni është zëvendësuar nga aksioni. Në vend të reformave, kemi “aksione” dhe “fushata” që imitojnë retorikën dhe format e propagandës komuniste. Në kohën e qoftëlargut kishim aksione për bonifikimin e kënetave; për ndërtimin e hekurudhave apo për mobilizimin e rinisë gjatë korrje e shirjeve apo për mbledhjen e skrapit. Po ashtu kishim fushata kundër analfabetizmit, për emancipimin e gruas, për shkëputjen nga feja apo kundër armikut të brendshëm. Ato ishin tipare të një regjimi autoritar që synonte të mbulonte mungesën e rezultateve me zell kolektiv dogmatik, dhe po të njëjtat forma po ringjallen sot, thjesht me emra më modernë dhe logo më ngjyra e media bashkëkohore.
Sot duhet theksuar se në të njëjtën kohë, me këto fushata e aksione, qeveria po manipulon opinionin publik përmes krijimit të “armikut të përkohshëm” – kioskat, lokalet e vegjël, apo ndërtuesit e paformalizuar. Kjo shënjestër selektive synon të krijojë përshtypjen e një beteje kundër keqpërdorimeve, duke fshehur paaftësinë e vërtetë për të adresuar problemet sistemike apo aferat e shumta dhe duke shpërqendruar vëmendjen larg nga çështjet më të mëdha dhe më të ndërlikuara. Kjo është një teknikë e njohur populiste, ku fokusimi në një “armiqësi” të dukshme përdoret për të mbuluar boshllëqet, dështimet apo skandalet në qeverisje.
Me këtë sjellje, kjo qeverisje ad hoc krijon iluzionin e lëvizjes, jo substancën e saj. Në pamje të parë gjithçka duket dinamike, por vendi po rrotullohet në vend — sepse kur çdo vendim është reagim, asgjë nuk parashikohet, asgjë nuk parandalohet dhe asgjë nuk zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme, por vetëm shtyhet deri në krizën tjetër. Në vende me qeverisje funksionale, reformat janë procese të ngadalta, të matur, të mbështetura në fakte, konsultime dhe kosto të mirëllogaritura. Ato nuk ndodhin në sy të kamerës, por në zyrat e institucioneve që i qëndrojnë kohës dhe ndryshimit të pushtetit. Ndërsa tek ne, mbizotërojnë vendimmarrja e centralizuar dhe gjithçka duhet të ndodhë tani, shpejt e me bujë. Shembulli është evident: për mbikëqyrjen ajrore të territorit kjo qeveri ka investuar 6 milionë për dy satelitë izraelitë dhe mbi 9 milionë për tre dronë turk Bayraktar TB2. Por, në praktikë, ndërtime pa leje në Theth zbulohen nga një podcast.
Ky kontrast nuk është thjesht grotesk, por është edhe dëshmi e qartë e mosfunksionimit të strukturave shtetërore, të cilat shërbejnë më shumë për të prodhuar iluzionin e kontrollit sesa për ta ushtruar atë në mënyrë reale. Në këtë kontekst, goditjet e befasishme të IKMT-së apo të policisë ndodhin në mënyrë spektakolare, por jo sistematike. Ato nuk ndjekin parimin e proporcionalitetit, por logjikën e shfaqjes.
Një tjetër problem që vlen të theksohet, është lehtësia me të cilën shkatërrohet prona private, edhe kur investimi është bërë pa leje. Aksionet selektive, të paparalajmëruara dhe të ashpra ndaj ndërtimeve pa leje nuk bëjnë dallim mes uzurpatorëve dhe pronarëve legjitimë, të cilët kanë investuar me mirëbesim dhe mund të jenë në pritje të një procesi të drejtë legalizimi. Kjo qasje cenon themelet e shtetit të së drejtës dhe krijon pasiguri juridike, duke hedhur poshtë parimin e sigurisë pronësore (një nga shtyllat kryesore të besimit qytetar dhe të zhvillimit ekonomik).
Në përfundim, për të shmangur çdo keqkuptim, ky shkrim nuk synon të inkurajojë ndërtime pa leje. Por këtu kemi një mungesë të një diagnoze reale dhe të thelluar për problemin që synohet të trajtohet. Masat kundër ndërtimeve pa leje dhe shkeljeve urbanistike merren pa analizuar arsyet themelore të këtyre shkeljeve. A është problemi çmimi i lartë i legalizimit? Neglizhenca e institucioneve për të hartuar plane urbanistike zhvillimore? Apo procedurat burokratike dhe mungesa e kapaciteteve në bashki për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje? Pa kuptuar shkakun, trajtimi i simptomës (prishja) është veprim sipërfaqësor dhe i destinuar të dështojë.