Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim.
Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Kurbin, Mirditë, Devoll, Korçë, Mallakastër, Fier, Gjirokastër, Selenicë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Lezhë,
Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:
- Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv zjarri, i cili po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra.
- Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Relievi shkëmbor është shumë i thyer dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete. Në ndihmë janë edhe 30 efektivë nga FA.
- Qarku Vlorë, në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar dje. Zjarri është shumë intensiv, me shkurre dhe fier që digjen poshtë pyllit me pisha. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorat e pishës duke e bërë gjendjen problematike. Në terren ndodhen edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar, i cili kreu 3 misione.
- Qarku Elbasan. Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një pyll gështenje në fshatin Shmil, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd.
- Qarku Lezhë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Vazhdon puna për krehjen e të gjithë vatrës së zjarrit. Në operacion u bashkua dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, i cili kreu 2 misione.
- Qarku Korçë. Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kaluar varrezat e fshatit, dhe duke shkuar pranë kufirit me shtetin grek. Vijon puna e forcave operacionale në terren për shuarjen e zjarrit.
- Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre.