Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin një muaj paraburgim ndaj Igor Popoviçit, zëvendësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Vuçiç tha se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për caktimin e paraburgimit ndaj Igor Popoviçit, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.
“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.
Ai theksoi se do të përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, por paralajmëroi se do të reagojë “në mënyrë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.