37-vjeçari Denis Bajri (Bajroviç) është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuar Arabe në Shqipëri. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
37-vjeçari akuzohet për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Në përfundim të procedurave ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve.








