Në tre qarqe situata është mjaft e rëndë nga flakët. Përkeqësohet në Jug.
Zjarri mbërthen Borshin, afrohet deri pranë plazhit, evakuohen banorë të zonës dhe turistët në disa hotele sipas mediave, ndërsa rruga Himarë-Sarandë është e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët që kanë pushtuar fshatin turistik.
Si rrjedhojë, autoritetet janë detyruar të kryejnë evakuimin e shumë banorëve të cilët jetojnë në banesat që rrezikohen nga zjarri masiv, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit. Situata është kritike edhe në Sasaj dhe Piqeras.
Mbrëmjen e djeshme u raportua një vatër e fuqishme zjarri edhe në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, qarku i Korçës.
Situata është përkeqësuar edhe në Shashicë të Vlorës. Flakët rrezikojnë disa familje edhe në Sherishtë, ndërsa policia është në gatishmëri nëse do ketë nevojë për evakuim të banorëve.
Nga mali i Shpiragut, flakët zbritën mesditën e djeshme në fshatin Paftalit të Beratit, ku u evakuuan edhe banorët.